Një djalë i ri po konsiderohet si një hero pasi është ngjitur një ndërtese për të shpëtuar një fëmijë katërvjeçar të varur nga një ballkon i katit të katërt.
Pa menduar për sigurinë e tij, Mamoudou Gassama mori pak sekonda për të arritur fëmijën në një shpëtim spektakolar të kapur nga kamerat e dëshmitarëve, pamje që janë parë me miliona herë, pasi janë shpërndarë në rrjetet sociale.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një incident të ndodhur rreth orës 20:00 të shtunën, në veri të Parisit.
Pamjet e shpëtimit tregojnë Gassama, 22 vjeç, emigrant nga Mali, duke u tërhequr nga ballkoni në ballkon, ndërsa një njeri në katin e katërt përpiqet të mbajë fëmijën duke u mbështetur nga një ballkon fqinj.
Kur arrin në katin e katërt, Gassama vendos një këmbë mbi ballkon përpara se të arrijë me krahun e djathtë dhe ta rrëmbejë fëmijën.
Zjarrfikësit arritën në vendin e ngjarjes për të gjetur se fëmija veçse ishte shpëtuar.
Anne Hidalgo, kryebashkiake e Parisit, e lavdëroi atë në Twitter për “aktin e trimërisë” së tij, si dhe e telefonoi personalisht për ta “falënderuar atë ngrohtësisht”.
Ajo i referohej atij si “Spider-Man”.
Gjithashtu, siç raportojnë mediat, i riu do të nderohet më pas për shpëtimin e tij të guximshëm nga presidenti francez Emmanuel Macron i cili e ka ftuar atë në Pallatin Elysee, të hënën, tha zyra e tij.
Sipas hetimeve fillestare, prindërit e fëmijës nuk ishin në shtëpi në atë kohë. /Telegrafi/