S’mund të vihet kurrsesi në dyshim se bashkimi kombëtar është një aspiratë shekullore për shqiptarët, të cilët jetojnë në trojet e veta etnike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe në Greqi. Ky bashkim ka qenë dhe mbetet aspiratë e jona, sepse u lindëm, u formuam, u konsoliduam dhe funksionojmë si komb të ndarë në kufij administrative (në kuadër të katër vilajeteve) dhe politikë (pas përcaktimit të kufijve të shtetit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha më 1913-ën). Kjo veçori historike, krijimi dhe demonstrimi botërisht i njësisë kombëtare të shqiptarëve (Lidhja e Prizrenit), para krijimit të shtetit shqiptar, është një burim për gjallimin dhe manifestim të dëshirës sonë për bashkim kombëtar.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë u përdor nga fqinjët tanë ballkanas, por dhe nga Fuqitë e Mëdha, për interesat e tyre politike dhe strategjike. Fqinjët sllavo-grekë, aleat në Luftën Ballkanike, kishin planifikuar dhe kërkonin botërisht mosnjohjen e pavarësisë së një shteti shqiptar, me argumentin e mosegzistencës se një kombi shqiptar dhe të etiketimit të shqiptarëve si “plaçkitës” e “vrasës”.
Por, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu “Pavarësinë e Shqipërisë”. Arsyeja kryesore e arritjes së këtij përfundimi mendoj se ishte rezultat i logjikës evropiane-perëndimore. Jam dakord me përfundimin e një studiuesi e historiani amerikan A. Bushnell Hart, që në një artikull të botuar në “New York Times”, më 19.10.1913-të, shkruan: “Kjo (njohja e pavarësisë së Shqipërisë, shën. im) është vetëm sajesë e Komunitetit Evropian, pjesërisht për të penguar tre shtetet sllave për të arritur në Adriatik….për të qenë sa më pranë influencës austriake e italiane”. Të shkruara para njëqind vjetësh, fraza e mësipërme tingëllon si profeci e ecurisë historike të kombit tonë në kuadër të një shteti shqiptar.
– Territori i njohur prej Fuqive të Mëdha si shtet shqiptar ishte vetëm një e treta e territoreve shqiptare të njohura e të konfirmuara si të tilla edhe ndërkombëtarisht deri në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX .
– Konferenca e Paqes e Parisit, ku u vu rrezikshëm në diskutim nga fqinjët tanë tërësia territorial, madje edhe ekzistenca e shtetit shqiptar, rikonfirmojë Vendimet e Konferencës së Londrës.
– Edhe në Konferencën e Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u vu përsëri në pikëpyetje ekzistenca e shtetit shqiptar. Pretendimi i Greqisë për ta rreshtuar atë përkrah nazifashistëve dështoi, por mbijetoi akuza false greko-serbe për bashkëpunimin e shqiptarëve të Çamërisë dhe të Kosovës me fuqitë e Boshtit.
– Zhvillimet e dy dekadave të fundshekullit të 20 në Kosovë dhe në vendet ish- komuniste në Evropë përgatitën dhe finalizuan çlirimin faktik të Kosovës nga Serbia. Dihet ecuria e ngjarjeve, siç dihen edhe faktorët dhe aktorët e arritjes së kësaj fitoreje, që u pasua, jo pa vështirësi nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur.
Këto zhvillime krijuan realisht përshtypjen se ëndrra shumë shekullore e shqiptarëve për bashkim kombëtar ishte në pragun e realizimit. Por dhe ne, që nisëm jetën politike qysh para ngjarjeve të 1981-shit, dhe që kontribuuam e vepruam në krijimin, organizimin e luftës së UÇK-së, që aspiruam si rrallëkush për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, fillimisht u stepëm dhe, ca më vonë, u pajtuam me idenë e aleatëve tanë për krijimin e shtetit të pavarur, Kushtetutës dhe flamurit të Republikës së Kosovës. Për këtë “pajtim” nuk jam penduar! Deklarohem kështu në përballje të tri elementeve : aspiratë (dëshirë e fortë) – mundësi hipotetike – mundësi realiste. Dy të parat, që janë të pranishme dhe sunduese në ndërgjegjen dhe pavetëdijen e gjithë shqiptarëve në Kosovë, përballen, duam apo nuk duam me përfundimin aksiomatik të aleatëve tanë: “Nuk do të ketë ndryshim kufijsh në Ballkan”!.
Mendoj se ndryshimi i kufijve të Kosovës, qoftë edhe këmbimi reciprok i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë (propozim i bërë) do të hapë “kutinë e Pandorës”, dhe më së pari, kërkesën ligjore e historike të Kosovës për njësinë historike të ish-vijaletit me kryeqendër Shkupin.
Aspirata anon përherë nga dëshira. Realiteti, që përshfaqet në raporte, interesa dhe zhvillime konkrete në rrafshet sociale, ekonomike dhe politike e kufizon(për të mos thënë e sundon) aspiratën. Ajo meriton të gjallojë e të mbijetoi nga lëvizje publike, intelektuale dhe civile. Këto lëvizje, kurdoherë që shfaqen, në kuadër të ligjit, meritojnë dhe do të kenë mbështetjen e shpirtit tonë, “shqiptarizmit”, por jo të shtetit e të politikës sonë zyrtare. Por kur kjo aspiratë përvetësohet dhe shndërrohet (në përputhje me dëshirën e aspiratën tonë shekullore, por haptazi në kundërshtim me zhvillimet e tashme e të pritshme kombëtare) në program dhe moto të një partie politike është vështirë të mos thuhet se diçka është thyer në raportin konkret që çdo shqiptar ka personalisht dhe kombëtarisht me patriotizmin.
Në përmbyllje të përgjigjes së titullit të shkrimit do të nënvizoja se “Vetëvendosja”, si lëvizje edhe parti e tretë, e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, apo Aleanca “Kuq e Zi”,e cila ende vepron si shoqatë, synojnë marrjen e pushtetit nën flamurin e nacionalizmit. Por ky flamur është i pafuqishëm dhe i paaftë të përcaktojë identitetin dhe karrierën politike. Politika, pavarësisht stazhit, ka si kriter për pranimin në të të ekzistencës së ndërgjegjes kombëtare. Ky proces kërkon kohë. Aktivizimi “rrufe” i kësaj ndërgjegjeje të të rinjve që nuk kanë qenë të lindur dhe as aktivë në procesin e arritjes së pavarësisë, duke qenë i parakohshëm, tingëllon dhe i pabesueshëm.
Ndërgjegjja e lirë kombëtare ,e pranishme e me peshë në krijimin dhe funksionimin e shtetit tonë të pavarur, mundëson secilin prej nesh të përballë dëshirën apo aspiratën tonë me përgjegjshmërinë për aktualitetin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës, si dhe me kuptimin e përshkallëzimin e veprimtarive patriotike dhe nacionaliste në Kosovë.
(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)