“Rikonstruksioni i çiftit” është i zhanrit të komedisë, por në fakt komedia ndodhi në sallë jashtë skenarit në teatër.
Shfaqja është ndërprerë për shkak se njërit prej spektatorëve i binte në vijimësi celulari duke nervozuar aktorin Mustafaraj.
Herën e parë Mustafaraj ndërpreu aktrimin, u kthye nga spektatori dhe pa gjatë në drejtim të tij, duke pritur derisa ai mbaroi bisedën. Herën e dytë, siç shkruajnë shekulli.al, Mustafaraj ka ndërprerë aktrimin dhe këtë herë i ka folur spektatorit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga skena në sallë.
Aktori dhe spektatori njiheshin, kjo pasi Mustafaraj iu drejtua me emër: “Ilir të lutem, të lutem, më lini të vazhdoj shfaqjen”. Mësohet se spektatori ishte drejtues i një OJF-je me fokus jetimët, i cili shkeli dy rregullat e teatrit, duke mos fikur celularin dhe duke folur gjatë shfaqjes.
“Rikonstruksionin e çiftit” Mustafaraj e sillte si një vazhdim për filmin “Rikonstruksioni”, ku ishte protagonist 27 vite më parë. Mustafaraj njihet në rolin e Benit, në filmin “Beni ecën vetë”.