Site icon Telegrafi

Spektakli në Pejë i takon Besës

Spektakël të hendbollit ka ofruar ndeshja e parë finale e plejofit në Superligën e Kosovës në mes të Besa Famgasit dhe Kastriotit. Ndeshja e luajtur të mërkurën në palestrën “Karagaçi” në Pejë u fitua nga Besa Famgas me rezultatin e ngushtë 16:15.

Rezultati dëshmon që ishte një ndeshje shumë e fortë në mbrojtje, që u zhvillua në një atmosferë shumë të bukur sportive para rreth 1200 shikuesve.

Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos vetëm në fund, si shumica e ndeshjeve të këtij edicioni mes Besës e Kastriotit.

Me fitore, Besa ka bërë hap para drejt mbrojtjes së titullit. Besa ka fituar pesë titujt e kaluar dhe po kërkon edhe titullin e gjashtë rresht. Kastrioti në anën tjetër ka fituar Kupën e Kosovës dhe po kërkon të fitojë edhe titullin. Ndeshja e dytë finale e plejofit luhet në fundjavë në Ferizaj, ndërsa nëse Besa fiton apo barazon, atëherë siguron titullin. Nëse fitore shënon Kastrioti, do të luhet ndeshja e tretë në Pejë.

Edhe finalja e parë vuri përballë mbrojtjet e fuqishme të të dy skuadrave. Ferizajasit humbën dy penallti në minutat e fundit, që edhe ndikuan direkt në rezultatin përfundimtar. Fillimisht P. Bassomben nuk ishte i saktë e më pas goditjen e D. Terziqit e ndali H. Berisha. Në anën tjetër shënoi A. Kukrika për Besën, ndërsa Kastrioti ia doli vetëm të afrohet në një gol, përmes shënimit të Terziqit.

Në pjesën e parë u shënuan vetëm 11 gola, ndërsa Besa kishte epërsi prej 6:5. Kastrioti nisi më mirë takimin dhe krijoi epërsi 3:1 e 4:2. Por Besa u kthye, kaloi në epërsi dhe e fitoi pjesën e parë. Pak gola kishte edhe në pjesën e dytë, ndërsa Kastrioti ktheu epërsinë në minutën e 43-të (10:9). Deri në minutën e 52-të ferizajasit kishin nga një gol epërsi, ndërsa Besa barazonte. Në minutën e 56-të Besa kaloi në epërsi 14:13. Më pas kishte barazim 14:14, para se pejanët të shënojnë dy herë për 16:14. Në fund Terziqi shënoi për rezultatin përfundimtar 16:15.

Te Besa Famgas më efikasi ishte B. Idrizi me 4 gola. Te Kastrioti 6 gola i shënoi D. Terziqi. Në fund në skenë te Besa doli portieri H. Berisha, ndërsa te Kastrioti formë të lartë ka shfaqur portieri A. Curri. Tani pritet spektakël tjetër në Ferizaj, ku Besa do të kërkoi titullin, ndërsa Kastrioti për të barazuar rezultatin dhe për të siguruar takimin e tretë.


Besa Famgas – Kastrioti 16:15 (6:5)

Besa Famgas: Mehmeti, Idrizi 4, Vokshi, Gjuka 2, Jupa 2, Y. Muqolli, Tetova, D. Tahirukaj 2, Tahirukaj 3, Ramosaj, Kukrika 2, Berisha, Çuziq, Bislimi, Thaqi, J. Muqolli 1

Kastrioti: Curri, B. Syla, Zherka 1, A. Dugolli, Qerimi, Terziqi 6, Prekazi 2, Shabani 5, Ramadani, D. Dugolli, Rudari, Mustafa, Esati, Bassomben, Rajatoski 1, Bytyqi


 

Exit mobile version