Site icon Telegrafi

Spektakël me tri gola pas pjesës së parë, derbi Man City – Arsenal po del të jetë i zjarrtë

Arsenal e ka mbyllur me avantazh prej 2-1 pjesën e parë të takimit ndaj Manchester Cityt, derbi ky që po zhvillohet në kuadër të javës së gjashtë në elitën e futbollit anglez.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh përmes Erling Haaland në minutën e nëntë i cili realizoi për 1-0 pas asistimit të Savinhos.

‘Qytetarët’ ishin shumë afër golit të dytë më minutën e 15-të, por fatkeqësisht shtylla ia mohoi golin Ilkay Gundoganit.

Mysafirët ia dolën që të barazojnë shifrat në 1-1 në minutën e 22-të pas një super goli të shënuar nga Riccardo Calafiori për të cilin ishte i pari me fanellën e Arsenalit.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, ishte Gabriel Magalhaes ai i cili ia doli që të shënojë me kokë për t’i dhënë epërsinë prej 2-1 ekipit të tij dhe duke kompletuar rikthimin.

Pak sekonda para se gjyqtari të sinjalizonte për fundin e pjesës së parë, belgu Trossard mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë kështu ‘Topçinjtë’ me një lojtar më pak në fushë.

Duke pasur parasysh ritmin dhe intensitetin e 45 minutave të para, pritet që të ketë gola edhe gjatë pjesës së dytë./Telegrafi/

Exit mobile version