Telegrafi

Spektakël në Prizren, Liria fiton ndeshjen e tetë golave

Liria është rikthyer te fitorja pasi në Përparim Thaçi ka mposhtur lehtësisht KEK-un me rezultat 6-2.

Liria që nga fillimi i ndeshjes luajti më mirë dhe pasi kaluan gjysmë ore lojë gjetën golin e parë.

Ishte sulmuesi Fatih Karahoda që shënoi pas një gabimi tek mbrojtja mysafire për 1-0.

Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, Qëndrim Gashi shërbehet bukur brenda zonës dhe realizon me lehtësi për 2-0.

Golin e tretë vendasit e realizuan nëpërmjet lojtarit të tyre më të mirë Liridon Fetahaj në minutën e fundit të pjesës së parë.

Kësisoj 45 minutat e parë përfunduan me epërsi të tre golave për bardh e zinjtë.

Golin e katërt për Lirinë e realizoi kapiteni Robert Gjeraj nga penalltia, ndërsa Stullaqku shënoi golin e parë për mysafirët.

Për 5-1 u përkujdes Qëndrim Gashi që realizoi golin e dytë personal në këtë takim.

KEK-u arriti të shënoj edhe një gol, kur në minutën e 75-të nga pika e bardhë ishte i saktë Atdhe Grajqevci.

Krejt në fund të ndeshjes, Fatih Karahoda i vendasve realizoi për rezultatin përfundimtar 6-2.

Pas kësaj fitore Liria zë pozitën e shtatë në tabelë me gjashtë pikë, ndërsa KEK-u mbetet i fundit pa pikë.

Në ndeshjen e ardhshme Liria do të luaj përsëri në Përparim Thaçi pasi do të jetë nikoqir i Llapit.

Ndërkohë KEK-u në shtëpi do të kërkojë pikët e para përballë Drenicës. /Telegrafi/