Telegrafi

Spektakël në Podujevë, Llapi mposht me lehtësi Dritën

Llapi ka marrë një fitore spektakolare ndaj Dritës me rezultat 4-1, fitore që u sigurua qysh në pjesën e parë.

Ka qenë një start fantastik i ndeshjes, ku vetëm pas nëntë minutave lojë u pa goli i parë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’.

Ishte Drilon Fazliu që doli bukur përballë Faton Maloku dhe shënoi pas asistimit nga Festim Alidema për 1-0.

Epërsia e vendasve zgjati vetëm tetë minuta pasi sulmuesi maqedonas Marko Simonovski realizoi për t’i barazuar shifrat në 1-1.

Llapi riktheu epërsinë në minutën e 28-të, kur qendërmbrojtësi Neto Bianor u gjend bukur në zonë dhe nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 2-1.

Vendasit nuk u ndalen dhe për 3-1 realizoi mesfushori Kushtrim Shabani në minutën e 38-të.

Katër minuta më vonë, meksikani Francisco Rivera u përkujdes për golin e katërt.

Skuadrat shkuan në pushim me epërsinë e thellë të Llapit 4-1.

Pjesa e dytë i takoi Dritës, që kërkonte të gjente golin e dytë, por që vendasit u treguan shumë të kujdesshëm në prapavijë.

Drita rrezikoi me Jasharin, Baftiun e Simonovskin, por pa gjetur golin dhe rezultati mbeti ai i pjesës së parë 4-1.

Me këtë fitore Llapi ngjitet në vendin e gjashtë në tabelë me 16 pikë, derisa Drita mbetet e para me 30 pikë, katër më shumë se Ballkani që ka tre ndeshje më pak.

Ndeshjen e ardhshme Llapi e luan përsëri në shtëpi ku pret Ferizajn, derisa Drita luan derbin e javës ndaj Ballkanit në stadiumin me bari sintetik në Gjilan. /Telegrafi/