Ka përfunduar me spektakël derbi i javës mes Dritës dhe Lirisë, ku i takoi vendasve me rezultat 4-3.
Drita që nga fillimi i ndeshjes ishte më e mirë në fushë duke rrezikuar portën e mysafirëve.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 11-të, ku gabimin e portierit mysafir Bakaj e shfrytëzoi mesfushori Bujar Shabani që shënoi për 1-0.
Drita vazhdoi sulmet të njëpasnjëshme në drejtim të portës mysafire me Krasniqin, Fazliun e Livorekën.
Golin e dytë vendasit e arritën tre minuta para fundit të ndeshjes falë sulmuesit fantastik Xhevdet Shabanit, i cili shënoi një gol të bukur për 2-0.
Por kur skuadrat po bëheshin gati për të shkuar në pushim të pjesëve, Jetmir Sefa i mysafirëve shënoi një gol të bukur nga distanca për ta ngushtuar epërsinë në 2-1. Me epërsinë minimale të Dritës përfunduan 45 minutat e para të ndeshjes.
Vlen të ceket se në pjesën e parë kishte përplasje edhe mes tifozëve vendas dhe atyre mysafirë të cilët hidhnin gur në drejtim të njëri-tjetrit. Por, u desh intervenimi i policisë për ta qetësuar situatën dhe për të evituar më të keqën.
Me të filluar pjesa e dytë, Drita përsëri u tregua e rrezikshme për portën mysafire.
Astrit Fazilu pati rast të mirë por që dështoi të shënoj nga afërsia.
Në minutën e 50-të, Drita fiton penallti pasi David Domgjoni i mysafirëve luajti me dorë në zonë.
I saktë nga 11 metërshi ishte qendërmbrojtësi Fidan Gërbeshi duke ngritur epërsinë e vendasve në 3-1.
Pas epërsisë prej dy golave të vendasve, iniciativën e morën mysafirët duke sulmuar vazhdimisht portën e Rexhepit të Dritës.
E në minutën e 80-të mysafirët ndërtuan një aksion të mirë kur Gavazaj asistoi tek Magani i cili shënoi për 3-2.
Vetëm pesë minuta më vonë, sulmuesi i ardhur nga Teuta e Durrësit, Artur Magani shënoi golin e dytë personal për ta barazuar rezultatin në 3-3.
Vendasit fitores iu gëzuan në minutën e 94-të, falë një autogoli të shënuar nga Basriu i Lirisë për 4-3.
Pas kësaj fitore, Drita ngjitët në pozitën e dytë në tabelë me 25 pikë të tubuara sa ka edhe Prishtina një pozitë më poshtë.
Ndërkohë Liria mbetet në pozitën e tetë me 22 pikë, por me gjasa të mira për kreun e tabelës.
Në ndeshjen e radhës, Drita do të jetë mysafire e Drenicës në Skënderaj, ndërsa Liria do ta mirëpres Flamurtarin në Prizren. /Telegrafi/