Nuk ka sjellë fitues klasikja e futbollit kosovar mes Vëllaznimit dhe Prishtinës që përfundoi pa gola 0-0.
Ndeshja nisi me një atmosferë fantastike të krijuar nga tifozët vendas ‘Kuqezinjtë e Jakovës’.
Ata kishin shpalosur një koreografi fantastike me ikonat e qytetit të Gjakovës si kapiteni legjendar i shqiptarëve Lorik Cana, Amir Abrashi, Eros Grezda, Burim Kukeli, Naim Kryeziun dhe Besnik Hasi.
Pastaj kryetari i klubit të Vëllaznimit, Agim Cana nderoi me mirënjohje kryetarin e komunës së Gjakovës, Ardian Gjinin, klubin e Prishtinës si dhe të birin e tij Lorik Canën.
Topin e parë në ndeshje e shqelmoi Lorik Cana që u prit me duartrokitje të mëdha nga tifozët e pranishëm që ishin në numër të madh.
Rastin e parë në ndeshje e kishte sulmuesi vendas Dardan Rogova i cili goditi bukur por intervenimi i Visar Bekajt ishte edhe më i mirë.
Krejt në fund të pjesës së parë, sulmuesi afrikan i Prishtinës, Gauthier Makenda në tentim për të harkuar për pak sa nuk befasoi portierin vendas i cili devijoi në këndore.
Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi me një iniciativë të Vëllaznimit që ishin më të uritur për fitore.
Dardan Rogova tentoi të shënoj me kokë në minutën e 47-të por goditja e tij shkoi jashtë portës.
Disa minuta më vonë Vokshi i vendasve tentoi nga distanca por që goditja e tij u prit nga Bekaj.
Deri në fund porta e Altik Muhaxhirit të Vëllaznimit dhe Visar Bekajt të Prishtinës mbetën të pa prekura.
Prishtina kësisoj vazhdon të mbetet lidere e Superligës me 36 pikë të grumbulluara, ndërkohë Vëllaznimi zë pozitën e nëntë në tabelë me 26 pikë.
Vëllaznimin e pret një udhëtim i vështirë në javën e 21-të pasi do të luaj në udhëtim te Drita.
Ndërkohë Prishtina në Pejë do të përballet me kampionin aktual të Kosovës, Trepçën ’89. /Telegrafi/