Telegrafi

Spektakël në Chase Center, Golden State Warriors barazon serinë ndaj Sacramento Kings

Ka përfunduar sfida e katërt mes Golden State Warriors dhe Sacramento Kings e zhvilluar në Chase Center të San Franciscos.

Vendasit e Golden State kanë marrë fitoren e dytë, duke barazuar serinë në 2-2, pasi triumfuan para adhuruesve të vet me një pikë diferencë 126:125.

Ka qenë një sfidë shumë interesante ku deri në sekondën e fundit nuk dihej fituesi dhe Kings e kishin gjuajtjen e fundit, por që dështuan të realizonin me Barnes për të marrë fitoren.

Më meritori për fitoren e Warriors ishte Steph Curry me 32 pikë, pesë kërcime e katër asistime.

Me lojë të mirë u dallua edhe Klay Thompson që shtoi 26 pikë, derisa Jordan Poole shtoi 22 të tjera.

Te mysafirët më i miri ishte De’Aaron Fox me 38 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, por që nuk mjaftuan për fitore.

Fitoren e parë në Play Off e ka marrë Minnesota Timberwolves që ka mposhtur Denver Nuggets 114:108 pas vazhdimeve, për të ngushtuar rezultatin në 1-3.

Anthony Edwards ka qenë më meritori për fitoren e Timberwolvesme 34 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime. /Telegrafi/