Telegrafi

Spektakël dhe rikthime, Spanja fiton dramën e tetë golave ndaj Francës dhe siguron medaljen e artë

Ekipi olimpik i Spanjës ka mposhtur Francën në finalen e madhe të Lojërave Olimpike ‘Paris 2024’ me rezultat 5-3, duke fituar kështu medaljen e artë.

Francezët ishin ata që kaluan të parët në epërsi me anë të Enzo Millot, i cili në minutën e 11-të shfrytëzoi një gabim të tmerrshëm të mbrojtjes për rezultatin 1-0.

Reagimi i Spanjës erdhi shpejt dhe ata ia dolën që të barazojnë shifrat në 1-1 vetëm disa minuta më vonë me anë të Fermin Lopez (18’) i cili shënoi pas asistimit të Alex Baenas.

Ishte pikërisht Lopez ai i cili doli sërish në skenë në minutën e 22-të, për t’i dhënë epërsinë prej 2-1 spanjollëve pas një topi të kthyer.

‘Furia e Kuqe’ nuk u ndal më kaq dhe trefishoi epërsinë në minutën e 28-të përmes Alex Baenas i cili për mrekulli ekzekutoi një goditje dënimi për rezultatin 3-1.

Pjesa e dytë ishte një spektakël aty ku shumicën e kohës ishte Franca ajo që dominoi ndeshjen, megjithëse në fund nuk ia dolën të triumfojnë.

Një goditje e devijuar e Michael Olise (79’) përfundoi në rrjetën e Spanjës për të ngushtuar diferencën në vetëm një gol (3-2).

‘Gjelat’ ishin me fat kur në minutën e 90-të fituan një penallti pas një ndërhyrje të palejuar brenda zonës nga njëri prej lojtarëve spanjollë.

I saktë nga pika e bardhë u tregua Jean-Philippe Mateta i cili me gjakftohtësi e çoi portierin në kahun e kundërt për rezultatin 3-3.

90 minutat nuk prodhuan fitues dhe u nevojitën vazhdimet për të vendosur fituesin, aty ku Spanja u tregua më cinike duke fituar medaljen e artë.

I inkuadruari në pjesën e dytë sulmuesi Sergio Camello, ishte heroi i Spanjës duke arritur që të shënojë dy gola.

Fillimisht ai shënoi në minutën e 100-të për rezultatin 4-3 pas asistimit të Adrian Bernabes, ndërsa ai shënoi edhe një herë tjetër në minutën e 121-të për të vulosur fitoren e Spanjës me rezultat 5-3./Telegrafi/