Telegrafi

Spektakël dhe pesë gola, Tottenham triumfon ndaj Romës

Roma ka pësuar humbje në kuadër të miqësoreve të International Champions Cup.

Romakët u mposhtën para shikuesve në stadiumin e San Diegos kundër Tottenham Hotspurs me rezultat 4-1.

Te dyja skuadrat pothuajse luajtën me formacionet e dyta gjersa ka pasur 17 ndërrime të lojtarëve gjatë ndeshjes.

Të gjitha pesë golat e takimit u realizuan në pjesën e parë gjersa në të dytën nuk u tund asnjëherë rrjeta e ekipeve respektive.

Në fakt, të parët kaluan në epërsi italianët përmes golit të Patrik Schickut, i cili mori një pasim të saktë në të tretën minutë nga Javier Pastore.

Spursat reaguan shumë shpejt duke barazuar rezultatin në të nëntën minutë përmes Fernando Llorentes, ku ky i fundit i solli edhe epërsinë londinezëve në të 18 minutë.

Serge Aurier ishte asistues në të 28 minutë kur golin e tretë për Tottenhamin e realizoi braziliani Lucas.

Ky i fundit e realizoi edhe golin e katërt të “Gjelave” një minutë para përfundimit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë rrjetat e ekipeve kundërshtare mbeten të patundura dhe kështu takimi përfundoi 4-1 për Spursat.

Theksojmë se takimin e radhës Tottenhami do të takohet me Barcelonën më 29 korrik ndërsa po të njëjtin kundërshtar më 1 gusht do ta ketë edhe Roma.

Pas kësaj, Tottenhami ka tre pikë në renditjen tabelore ndërsa Roma mbetet pa asnjë. /Telegrafi/