Site icon Telegrafi

Spektakël basketbolli në Vlorë, Trepça fiton ndaj Golden Eagle Yllit në finalen e Ligës Unike

Mitrovicasit në një super finale kanë shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit 66:67 (19:11, 15:25, 18:13, 14:21). Kjo ishte hera e parë që klubi mitrovicas e fiton këtë trofe.

Në parket dhe tribuna ishte spektakël i basketbollit, me një sfidë dramatike, derisa një numër i madh i tifozëve kishin udhëtuar nga Mitrovica e Theranda për ta përcjellë këtë finale.

Therandasit e nisën ndeshjen më mirë me një seri prej 5:0, e më pas ngritën epërsinë në 16:5, që ishte më e larta, por mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe u rikthyen, ku çereku i parë përfundon 19:11. Në periudhën e dytë, Ylli kishte dy herë epërsi prej 13 pikësh, por fituesit e Kupës dhe Superkupës së Kosovës u rikthyen dhe bënë përmbysjen e madhe, për të shkuar në pushim me rezultat 33:34.

Lojë me rikthime u zhvillua në periodën e tretë, për të bërë sfidën shumë interesante në Vlorë dhe një spektakël të basketbollit. Pas një loje me rikthime, shifrat në semafor ishin 52:46. Të udhëhequr nga i jashtëzakonshmi Alonzo Verge Jr, Ylli vazhdoi të shkëputet në rezultat 60:47, por dy treshe radhazi nga Mikaile Tmusiq bën që fituesi të mos vendosej deri në fund, e në momentet vendimtare në skenë doli i zakonshmi Darnell Edge me shtatë pikë radhazi, ku treshja e fundit ishte e jashtëzakonshme dhe vendimtare për 66:67.

Verge Jr ishte më i miri te Ylli me 28 pikë, shtatë kërcime e katër asistime, kurse Edge e mbylli ndeshjen me 25 pikë, tre kërcime e dy asistime, duke u ndihmuar nga Tmusiq me 16 pikë e gjashtë kërcime.

Darnell Edge u shpall MVP i Ligës Unike, çmim që iu nga Hajri Elezaj, sponsor gjeneral nga Uji Lajthiza./Telegrafi/

Exit mobile version