Telegrafi

SPEK: Në emër të privatizimit po hiqet qafësh problemi i quajtur KEK

SPEK po ashtu ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është duke imituar zhvillimet në sektorin energjetikë që po ndodhin në Shqipëri e në Maqedoni.

“Privatizimi i Furnizimit dhe Rrjetit do të ndikoj në ngritje të çmimit të energjisë për konsumatorët. Privatizimi i këtyre dy divizioneve të KEK-ut është i pamundur pa shpërbërjen e plotë të KEK-ut, pa regjistrim dhe analizë të mirëfilltë ku do të bëhej vlerësimi paraprak, pa hartimin e strategjisë në lidhje me të punësuarit dhe mënyrën se si të mbrohem përmes mekanizmit ligjor, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të punëtorëve në këtë proces”.

SPEK po ashtu ka shprehë shqetësimin në lidhje me atë se Qeveria e Kosovës ka hapur zyrën e veçante qe do te merret me këto çështje kurse nuk ka mundësuar përfaqësimin e punëmarrësve.

“Institucionet e vendit tonë janë duke injoruar përfaqësimin e interesave të punëtorëve po thuajse në të gjitha zhvillimet”.

SPEK ka shprehur shqetësim edhe sa i përket asaj se në emër te projektit për Inkasim dhe faturim në kompani po lëshohen kontrata pune me afat 3 mujor te cilat automatikisht anulojnë kontratat e mëhershme.

“Kjo po ndodh pasi që zyrtarisht dihet se është marre vendimi për privatizim të këtyre dy divizioneve dhe veprimi i tillë ka për qëllim që ti largoj të punësuarit nga puna ne mënyrë që të lirohet nga presionet e kërkesat për trajtim të tyre nga institucionet shtetërore të Kosovës gjatë dhe pas privatizimit”.

SPEK ka apeluar tek të gjithë anëtarët e vet që mos të nënshkruajnë kontrata të tilla me asnjë kusht, sepse janë në dëm të interesit të tyre personal dhe vështirëson situatën edhe në procesin në vijim. /Telegrafi/