Site icon Telegrafi

Specialja tregon arsyen e arrestimit të Isni Kilajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar arrestimin e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.

Në njoftimin për media thuhet se ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake “pa vonesa të panevojshme”.

Lexo po ashtu Specialja arreston Isni Kilajn, reagon Komuna e Malishevës

Në arsyetimin e Speciales thuhet se Kilaj dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, “përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale. /Telegrafi/

Exit mobile version