Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Kjo ka ndodhur pikërisht në ditën kur Kosova feston 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Vendimi është nxjerrë nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor, të vitit 2020. /Telegrafi/