Telegrafi

Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

Dhomat e Specializuara në Hagë, ia kanë vazhduar paraburgimit ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.

Gjykatësi Nicolas Guillou, ka thënë se arsyet e vazhdimit të paraburgimit janë, rreziku për ikje e ndikimi në dëshmitarë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziqet që z. Veseli do të arratiset, do të pengojë progresin e procedurave të DhSK, ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në DhSK, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendim.

Edhe Gjykata Supreme ia kishte refuzuar Veselit, kërkesën për lirim nga paraburgimi.

Ndryshe, ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.

Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.

“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës

Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së i kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.