Site icon Telegrafi

Specialja ia refuzon Pjetër Shalës kërkesën për vizitë te psikologu

Foto: Ilustrim

Më 14 dhjetor 2023, Mappie Veldt-Foglia, kryesuese e trupit gjykues në Hagë, ka marrë vendimin për të refuzuar kërkesën urgjente të mbrojtjes për një vizitë psikologjike për të akuzuarin Pjetër Shala.

Kërkesa pranë panelit të gjykatësve u paraqit më 11 dhjetor 2023, por u hodh poshtë me argumentin që mbrojtja duhej të paraqiste kërkesën tek administratori i paraburgimit në fillim.

Sipas njoftimit të Hagës, kërkesa për vizitë te psikologu kërkonte autorizim për një takim dyditor me eksperten psikologjike Vanessa Milazzo, e cila planifikonte të hartonte një raport mbi shëndetin mendor të Shalës dhe ndikimin e procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës mbi të.

“Aktvendimi i gjykatës përcakton që çdo provë nga mbrojtja në lidhje me dënimin e mundshëm duhet të paraqitet deri në mbylljen e rastit, me afat deri më 15 janar 2024”, thuhet në njoftim.

Arsyetimi i vendimit për refuzimin e kërkesës së mbrojtjes thekson se nuk ka ndodhur asnjë komunikim i paraprak midis mbrojtjes dhe shefit të paraburgimit, dhe se nuk ka pasur ndonjë refuzim nga ky i fundit që do të justifikonte ndërhyrjen e panelit gjykues.

Vendimi i trupit gjykues thekson gjithashtu se mbrojtja nuk ka vepruar me shpejtësinë e duhur dhe ka treguar mungesë të kujdesit në kontaktimin e ekspertes psikologjike pas vendimit që dënimi, nëse vihet, do të shpallet bashkë me aktgjykimin.

“Paneli ka përcaktuar se mbrojtja duhet t’i dorëzojë provat e ekspertes psikologjike jo më vonë se 4 janari 2024 dhe të bëjë kërkesë për shtimin e ekspertit dhe raportit të saj në listën e dëshmitarëve”, theksohet tutje.

Për këtë arsye, paneli ka shkurtuar afatet kohore për reagimin e ZPS-së dhe mbrojtjes së viktimave përpara se të paraqiten provat e mbrojtjes përpara datës së caktuar dhe ka një lloj paraqitje gojarisht të kërkesës nga ZPS dhe mbrojtja e viktimave më 9 janar 2024./Telegrafi/

Exit mobile version