Site icon Telegrafi

Specialja “fshehurazi” hyn në fuqi

Qeveria e Kosovës e ka mbajtur deri më tani “sekret” marrëveshjen e arritur me Mbretërinë e Holandës për Gjykatën Speciale, me ç’rast pas dekretimit nga presidentja kjo marrëveshje është publikuar në Revistën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Gazeta “Zëri” ka provuar gjatë ditës që të marrë sqarime se pse s’është publikuar marrëveshja nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Presidenca, por kjo nuk ka qenë e mundur.

Marrëveshja ka 42 nene dhe është kryesisht me karakter teknik. Në Neni 2 të kësaj marrëveshjeje sqarohet “Qëllimi dhe fushëveprimi i kësaj marrëveshjeje”.

“Kjo marrëveshje rregullon çështjet që ndërlidhen me përgatitjen për krijimin dhe funksionimin e duhur të Institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës në shtetin pranues. Ajo, ndër të tjera, krijon kushtet e favorshme për stabilitetin dhe pavarësinë e Institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës dhe lehtëson funksionimin e saj efikas në shtetin pranues në fazën përgatitore, duke përfshirë edhe për personat që duhet të jenë të pranishëm në seli dhe për transferimin e informacionit dhe materialeve, dëshmive të mundshme dhe provave brenda dhe jashtë shtetit pranues”, thuhet në pikën e parë të Nenit 2.

Kjo marrëveshje është nënshkruar pas amendamentimit të Kushtetutës së Kosovës që më pas i ka hapur rrugë miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special, si dhe të Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të Personave, të cilët mund të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Selia e Gjykatës Speciale do të jetë në Hagë të Holandës. Kjo Gjykatë do të hetojë krimet e kryera në periudhën 1999-2000 nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë. /Zëri/

Exit mobile version