Telegrafi

Specialja dorëzon aktakuzën e ndryshuar ndaj Isni Kilajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar publikisht se ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj.

Kilaj ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj, ai u lirua nën kushte të rrepta, por vazhdoi të ngelte si i dyshuar. Si kusht paraprak e pati shumën prej 30 mijë eurosh të cilën duhej t’ia jepte administratores si garanci financiare.

Me rastin e lirimit, ishte bërë e ditur se është pezulluar kërkesa e shqyrtimit të aktakuzës ndaj tij, me synimin se do të paraqitet aktakuzë e ndryshuar. Tash Specialja ka njoftuar se aktakuza e ndryshuar është dorëzuar, por ajo ende s’është bërë publike.

“Në vazhdim të njoftimit të mëparshëm lidhur me çështjen Kilaj në muajin maj, më 18 korrik ZSP-ja ka njoftuar publikisht Gjykatësen e Procedurës Paraprake se ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Isni Kilajt. Njoftimi, i cili nuk përfshin detaje të mëtejshme, është i disponueshëm këtu”, bëhet e ditur në njoftimin e Speciales, transmeton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, ishte transferuar më 3 nëntor 2023 në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pasi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

Përveç kësaj vepre, Kilaj dyshohet edhe për veprën penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Shkelje të sekretit të procedurave”.

“Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

Sipas këtij njoftimi, ZPS ka thënë se e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjek penalisht të gjithë ata që përfshihen në çdo rast.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

Tutje, ZPS përmes njoftimit tha se EULEX-i dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.