Telegrafi

Specialja dënon me 18 vjet burgim Pjetër Shalën, i njohur si komandant “Ujku”

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur si komandant “Ujku”, u dënua sot me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë shpallur aktgjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur si komandant “Ujku”, ndaj tij ishin ngritur katër aktakuza, transmeton Telegrafi.

Në përmbledhjen që u bë në seancën gjyqësore, u tha se ndaj tij janë ngritur katër aktakuza për krime lufte, dhe se krimet kryesisht kanë ndodhur nga 17 maj deri më 15 qershor të vitit 1999.

“18 persona të identifikuar iu hoq liria në fabrikën e metalit në Kukës. Provat tregojnë se individët u arrestuan, pasi nuk mbështeten mjaftueshëm UÇK, ata u arrestuan në rrugë, në shtëpi, etj. Shala u përfshi drejtpërdrejtë në ndalimin e një personi. Në asnjë moment gjatë ndalimit, atyre nuk iu dhanë ndonjë garanci, nuk u informuan pse iu është hequr liria. Nuk iu dha mundësia për kundërshtim, përkundër për gjatë gjithë kohës së ndalimit ata u keqtrajtuan nga anëtarët e UÇK-së, ku u përfshi edhe Shala”, tha zyrtarja e ZPS-së.

ZPS shtoi tutje se “të paktën 18 persona u mbajtën në kushte të mjerueshme, në dhoma të vogla, pa shtretër, atye nuk iu dha as ushqim dhe ujë, nuk u lejuan as të laheshin, e as të përdornin banjo, atyre nuk iu dha as ndihmë mjekësore e as nuk u lejuan të flisinin njëri me tjetrin”.

Më tej, ZPS theksoi se keqtrajtimi ka vazhduar ndaj tyre, dhe se disa janë djegur edhe me cigare.

Shala u dënua për veprat penale: Ndalim arbitrar, torturë ndaj 18 personave dhe vrasje kundër një personi.

Pjetër Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /Telegrafi/