Telegrafi

Specialja, aktakuzat në fundvit

Gjykata Speciale deri në fund të këtij viti pritet t’i ngrejë aktakuzat e para për krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ngritjen e aktakuzave sivjet e ka konfirmuar edhe Charles L. Smith, amerikani i vetëm i emëruar si një ndër 19 gjykatësit në Gjykatën Speciale, i cili ka bërë të ditur se nuk do të udhëtojë në Hagë deri në fund të këtij viti, sepse siç ka thënë ai, ngritja e aktakuzave të para nga Prokuroria do të marrë kohë deri atëherë.

Smith ka pohuar se procesi në tërësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës do të marrë kohë së paku katër vjet për ta kryer punën, shkruan “Zëri”.

Por për Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ngritja e akuzave varet nga efikasiteti i Prokurorisë e jo nga deklarata e gjyqtarit Smith.

“Pavarësisht deklaratave të gjykatësit Smith, ngritja e aktakuzave varet nga Prokuroria dhe varësisht se sa efikase është ajo në këtë drejtim edhe Gjykata duhet të jetë e gatshme dhe e përgatitur për t’i përmbushur obligimet e saj ligjore”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, funksionalizimi i Speciales pritet të ndodhë shumë shpejt.

“Me hyrjen në fuqi të rregullave të Procedurës dhe Provave nga Gjykata që pritet shumë shpejt të hyjë në fuqi gjatë muajit prill të këtij viti, edhe Specialja do të jetë funksionale dhe e gatshme t’i pranojë aktakuzat e para të paraqitura nga Prokuroria”, ka potencuar ai.

Tutje Miftaraj deklaron se sinjali që kjo Gjykatë do të fillojë punën është dhënë vite më parë. /Zëri/