Site icon Telegrafi

Specialisti i të dhënave: Rreth 60 për qind e popullsisë në moshë pune nuk janë pjesë e tregut të punës

Specialisti i analizës së të dhënave, Mërgim Pervetica ka deklaruar se tregu i punës në Kosovë gjatë vitit 2023 reflekton një balancë të qëndrueshme mes progresit ekonomik dhe mundësive për zhvillim.

“Norma e papunësisë është në nivelin më të ulët historik – një tregues premtues i stabilitetit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës,” ka shkruar Pervetica në një postim në Likedin.

Megjithatë, ai thekson një shqetësim të rëndësishëm, duke përmendur se “rreth 60% e popullsisë në moshë pune mbetet joaktive.”

Nga 1.17 milionë individë të moshës së punës, rreth 694,000 nuk janë të përfshirë në fuqinë punëtore, çka përbën një “burim ekonomik të pashfrytëzuar.”

Pervetica argumenton se një përfshirje më e madhe e këtyre individëve në tregun e punës do të kishte ndikim të dukshëm.

“Nëse do të mund të integrohej edhe një pjesë e këtyre individëve të paaktivizuar në punë, kjo do të rriste GDP-në dhe do të nxiste një ekonomi më përfshirëse dhe të balancuar,” shkruan ai, duke theksuar se realizimi i këtij potenciali kërkon “politika të synuara, mjedise përfshirëse të punës dhe akses në programe për zhvillimin e aftësive.”

Sipas Perveticës, rruga e Kosovës drejt një rritjeje të qëndrueshme qëndron në fuqizimin dhe përfshirjen e të gjithë njerëzve të saj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version