Mjekët specialistë që protestuan disa herë para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar punë, e konsiderojnë të pranueshëm punësimin gjashtëmuajsh.
Këta mjekë protestonin ngase përkundër që gjatë specializimit ishin të inkuadruar në QKUK, nuk merrnin pagë nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa u duhej të punonin nëpër komunat prej nga vinin për të pasur një pagë.
Qeveria e Kosovës ua bëri këtyre mjekëve një zgjidhje të përkohshme, duke u mundësuar punësimin për gjashtë muaj, pas të cilëve çështja e tyre do të rishqyrtohet me rishikim buxheti.
Arben Ademi përfaqësues i këtyre mjekëve tha për KALLXO.com se doktorët kanë pritur dikush dy e dikush tre, e ndoshta edhe më shumë, prandaj kjo nuk është zgjidhja ideale por që nuk kanë tjetër mundësi.
“Nëse na mundësohet me marrë një pagë deri në Vitin e Ri dhe me pas një pagë me vijë buxhetore të rregullt nuk është zgjidhja ideale, por ndoshta e vetme për momentin duke u nisur nga fakti që ne nuk e dimë saktësisht si shkon planifikimi buxhetor,” tha Ademi.
Edhe Shkelqim Dërgurti, kirurg plastik thotë se kjo zgjidhje është e pranueshme.
“Është një lëvizje, grupi është i kënaqur, sepse është premtuar që në vitin e ardhshëm do të bëhet një zgjidhje definitive,” tha ai.
Ministri i Shëndetësisë dje lajmëroi se është bërë një zgjidhje e përkohshme për këta specialistë të cilët do të punojnë me pagë të plotë deri në janar pastaj do të shihet në rishikime buxhetore se çka do të ndodhë.