Specialistët stomatologë të papunë për një orë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, me kërkesën e vetme punësimin në institucionet publike shëndetësore.
“22 vite shkollim dhe i papunë“, “Mos na detyroni ta lëshojmë vendin”, “Duam Punë”, “Ku janë premtimet”, janë vetëm disa nga porositë që i përcollën ata për krerët shtetëror.
Përfaqësuesja e specialistëve stomatologë, Mirjeta Berisha, ka deklaruar se më shumë se 120 specialistë janë të papunë, dhe se çdo ditë po rritet numri i specialistëve të papunësuar.
Berisha u shpreh se për herë të tretë me radhë përmes protestave janë duke kërkuar të drejtën për punësim.Ajo u shpreh se përveç disave që punojnë nga disa orë në institucionet private, shumica tjetër bredhin pa punë.
“Qëllimi ynë kryesor është që të bëhet një zgjidhje rreth sistemimit tonë të gjithë këta specialistë që janë si staf profesional të sistemohen në sistemin publik shëndetësor. Ne kemi pasur disa takime me ministrin Ismajli dhe jemi dakorduar që do të punohet rreth këtij problemi, mirëpo rezultat konkret, ose një përgjigje konkrete ende nuk kemi. Kërkojmë një përgjigje, kërkojmë që ta përkrahin këtë aspektin ministrin Ismajlin. Numri ka më shumë se 120 e më tepër specialistë të papunë aktualisht, mirëpo çdo ditë e më tepër po rritet numri, ajo që na brengos më së shumti sepse ndahen specializimet të panevojshme, kurse stafi tjetër profesionist janë të pa inkuadruar në sistemin publik”, ka shtuar Berisha.
Ajo ka shprehur gatishmërinë e kësaj kategorie që të presin zgjidhje nëse u jep ndonjë sinjal Qeveria e Kosovës se është duke punuar në drejtim të problemit. Berisha po ashtu bëri të ditur kanë kërkuar që të takohen me kryeministrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe me kryeparlamentarin, Kadri Veseli.
Edhe Arta Bollozhani shprehu pakënaqësi duke thënë se për vite të tëra ata po presin punësimin.
Duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që sa më parë të zgjidhet problemi i tyre, Bollozhani u shpreh se nëse nuk ndërmerret asgjë, do të vazhdojnë me aktivitetet e tyre derisa të marrin vendin meritor.
“Për momentin jo, ka shumë specialistë të tjerë që me vite presin zgjidhjen e problemit të tyre, shumë pak janë të inkuadruar përkohësisht në institucione private, përndryshe shumica prej këtyre 120 sa jemi të lajmëruar si specialistë të stomatologjisë janë të papunë…Do të vazhdojmë me aktivitetet tona dhe me kërkesat tona”, ka deklaruar kjo specialiste e pa punë.
Kurse, Valon Halili u shpreh se ata për vite janë duke pritur punësimin e tyre, dhe përkundër premtimit që kanë marrë se me fillim të vitit 2017 do të punësohen, ende nuk është marr asgjë në këtë drejtim.
“Jemi duke pritur me vite me radhë edhe të na sqarohet koha dhe një afat kohor se kur ka me u bë zgjidhje jonë…Studimet i kemi përfunduar qe 10 vite, specializimet i kemi përfunduar vitin e kaluar por ka kolegë që tri vite i kanë përfunduar “, ka deklaruar ai.
Me protestuesit doli për tu takuar këshilltarja e Kryeministrit Haradinaj, Albena Reshitaj, e cila iu bëri të ditur se në ora 13:00 do të priten në ambientet e Qeverisë për takim.
Specialistët stomatologë me kërkesën e njëjtë javë më parë kanë protestuar para ministrisë së Shëndetësisë. /KP /Telegrafi/