Në prag të ditës së nesërme kur besimtarët e konfesionit musliman edhe do të fillojnë me agjërimin e Ramazanit, Sektori për Punë të Brendshme të Tetovës apelon qytetarët e zonës Tetovë-Gostivar që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, sidomos kur dalin nga shtëpitë e tyre dhe shkojnë në darkat e Iftarit apo tek të afërmit.
Ata këshillohen që të mbyllin dyert, të mos i lënë dritaret hapur dhe të mos publikojnë fotografi nëpër rrjetet sociale, duke dhënë sinjale se nuk janë në shtëpi, pra se janë me persona të tjerë.
Nga ana tjetër, nëse vërejnë lëvizjen e personave të dyshimtë pranë banesave të tyre, duhet të telefonojnë në numrin e telefonit pa pagesë 192 ose 112, gjë që do të kontribuojë dhe do të ndihmojë për një reagim të shpejtë dhe efikas të shërbimeve të policisë.
SPB Tetovë do të intensifikojë patrullimin e planifikuar dhe shërbimet tjera herët në mëngjes dhe në orët e vona të mbrëmjes dhe shpreson që qytetarët t’i përfillin këto apele dhe udhëzime, sepse hajdutët me shkathtësi dhe zgjuarsi e shfrytëzojnë çdo mungesë të tyre dhe hyjnë në shtëpitë dhe banesat bosh, thuhet në komunikatën me shkrim të lëshuar nga ana e SPB Tetovë.