SPB Tetovë njofton se në dy muaj e gjysmë të kaluara të këtij viti, kanë intensifikuar aktivitetet e vazhdueshme për trajtimin e “prodhimit dhe shitjes së paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, si dhe “mundësimit të përdorimit të droga narkotike”.
Nga SPB Tetovë thonë se gjatë kësaj periudhe, në pesëdhjetë rastet e evidentuara në rajonet e Tetovës janë regjistruar gjithsej 80 persona të privuar nga liria për të cilët pas zbardhjes dhe dokumentimit të rasteve janë përgatitur parashtresat përkatëse, kurse në rajonin e Gostivarit janë ndaluar 15 persona. Në numrin më të madh të tyre është gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe kokainë dhe vetëm në disa raste heroinë dhe amfetamina.
“Bëhet fjalë kryesisht për të rinjtë nga mosha 15 deri në 45 vjeç, të cilët i përdornin personalisht këto droga, por ka edhe individë që ua shisnin të tjerëve”.
“Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë në periudhën e ardhshme do të ndërmarrë kontrolle dhe aktivitete të tjera, në qendër të të cilave do të jenë personat që në mënyra të ndryshme posedojnë, përdorin ose shesin narkotikë dhe do t’i sanksionojë në mënyrë adekuate duke përgatitur parashtresat e parapara me ligj”, thonë nga SPB Tetovë.