Telegrafi

SPB Tetovë: Mos bini pre e lajmeve të rrejshme (Video)

Në rrjetet sociale në rajonin e Pollogut ditëve të fundit po përhapen lajme krejtësisht të pavërteta, të cilat kanë shkaktuar shqetësim tek qytetarët. Në lajmet e rrejshme njoftohet për vrasje të rënda në qytetin e Tetovës dhe Gostivarit.

Me këtë rast ka reaguar edhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, të cilët thonë se këto lajme në masë të madhe shqetësojnë popullatën dhe shkaktojnë pasiguri tek ta, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Fabrikimi dhe publikimi i lajmeve të pavërteta është në kundërshtim me ligjin dhe për këtë parashihet përgjegjësi penale. Qytetarëve ju këshillojmë që të mos bien pre e këtyre dezinformatave, të mos ju besojnë dhe detyrimisht të drejtohen tek lajmet zyrtare ose tek institucionet përgjegjëse”, thonë nga SPB Tetovë.

SPB gjithashtu këshillon edhe mediat e shkruara dhe ato elektronike që të jenë të kujdesshme, pasi lajmet e rrejshme krijohen për qëllime përfitimi.

Përndryshe, tashmë për 10 ditë publikohen lajme me përmbajtje të rëndë dhe frikësuese për kinse vrasje të rënda në rajonin e Pollogut./Telegrafi/