Policia e Tetovës njofton se mëngjesin e sotëm nga ora 06:00 deri në ora 10:00 është kryer kontroll aksionar në zonën territoriale të SPB Tetovë, ku janë përfshirë në kontroll gjithsej 38 automjete që kryejnë transport publik të udhëtarëve, kryesisht autobusë dhe furgonë.
Gjatë kontrollit janë zbuluar pesë shkelje ligjore në ambientet e mjeteve të transportit dhe janë sanksionuar në mënyrë adekuate për mangësi teknike dhe të tjera.
“Dy automjete kishin frena me defekt, dy të tjerë nuk i ishin nënshtruar kontrollit teknik dhe njëra qarkullonte me regjistrim të skaduar. Për shkelësit janë përgatitur parashtresat përkatëse, ndërsa tre automjete janë përjashtuar menjëherë nga qarkullimi. Gjatë kontrollit janë sanksionuar edhe tre lloje të tjera të kundërvajtjeve rrugore, njëra prej të cilave mjet pa dokumentet e nevojshme për transport publik. Qëllimi është që me kohë të zbulohen dhe largohen nga komunikacioni automjetet me defekte teknike dhe të sigurohet transport i qetë dhe i sigurt i udhëtarëve”, informon Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.
Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, veçanërisht para dhe me fillimin e vitit të ri shkollor, sepse një numër i madh i nxënësve nga shkollat fillore dhe të mesme të zonës do të transportohen çdo ditë nga dhe drejt Tetovës dhe Gostivarit.