“Vendi ynë pret anëtarësim të plotë në NATO para zgjedhjeve të prillit. Në ndërkohë plotësohen të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë për participimin tonë në aleancë, duke përfshirë edhe modernizimin e armatës dhe financimin e saj sipas standardeve të NATO-s”.
Këtë e tha sot kryeministri teknik Oliver Spasovski, i cili realizoi takim me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Shkup, Rachell Galloway, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Spasovski gjithashtu tha se paralelisht me aktivitete për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në muajin prill, Qeveria mbetet e përkushtuar edhe në stabilizimin e demokracisë, zbatimin e reformave, mbajtjen e dialogut politik, si dhe argumentet për vendim pozitiv nga BE për nisjen e negociatave gjatë periudhës së ardhshme.
Sa i përket organizimit të zgjedhjeve, Spasovski tha se Qeveria vazhdimisht bashkëpunon me institucionet kompetente për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndërsa ambasadorja Galloway tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet aleat i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se paralajmërimet e Komisionit Evropian janë inkurajuese se së shpejti do të dorëzohet metodologjia e re për zgjerimin e BE-së./Telegrafi/