Në kuadër të agjendës me aktivitete gjatë vizitës dyditore në Bruksel, kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski mori pjesë në drekën të cilën për liderët e Ballkanit Perëndimor e organizoi Eurokomisari për zgjerim dhe politikë fqinjësore të BE-së, Oliver Varhelyi.
Në takim në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e qeverive të Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama dhe Ana Brnabiq, u fol për rëndësinë e pjesëmarrjes në konferencën e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”, për rikonstruimin dhe sanimin e pasojave nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, si dhe për solidaritetin që tregojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, si një nga vlerat themelore të BE-së.
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Eurokomisari për zgjerim dhe politikë fqinjësore të BE-së, Oliver Varhelyi, biseduan edhe për bashkëpunimin rajonal si kontribut i rëndësishëm i secilit vend nga rajoni, në përforcimin e kapaciteteve për mbështetje të ndërsjellë në realizimin e standardeve për përshpejtimin e proceseve për integrimin e secilit vend të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në këtë drejtim, në takim u theksua se Komisioni Evropian jep mbështetjen e plotë për përforcimin e bashkëpunimit rajonal të njohur si “Mini Schengen” dhe u theksua se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të realizohet sipas standardeve evropiane.
Në drekën e punës që e organizoi Eurokomisari Varhelyi, u fol edhe për metodologjinë e re për zgjerim, për të cilën u tha se i jep cilësi të re procesit dhe motivim shtesë për vendet me aspiratë që të përshpejtojnë realizimin e anëtarësimit në BE./Telegrafi/