Kryeminstri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, pas përfundimit të vizitës dyditore në Bruksel, ku mori pjesë në konferencën donatore “Së bashku për Shqipërinë”, tha se miqtë tanë në Bruksel, i ndajnë pritjet me ne për zyrtarizimin e anëtarësimit tonë në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Spasovski realizoi takim me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sassoli, me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me eurokomisiarin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Oliver Varhelyi, me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, si dhe me diplomatë tjerë nga Evropa dhe SHBA-ja, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Dua të shpreh kënaqësinë time që kemi pasur mundësinë të takohemi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg. Ne biseduam për hapat e ardhshëm, zyrtarizimin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, si një nga hapat më të rëndësishëm për stabilitetin e qytetarëve të vendit tonë, si dhe për tërë rajonin”, deklaroi Spasovski në Bruksel.
Ai tha se e ka shfrytëzuar këtë vizitë për t’u takuar me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe eurokomisarin për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Ne diskutuam për perspektivat evropiane të vendit, se Republika e Maqedonisë së Veriut ka përmbushur të gjitha planet e projektuara për fillim të negociatave me BE. Në të vërtetë, ne presim që Këshilli Evropian të marrë vendim sa më shpejt të jetë e mundur për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE”, tha Spasovski.
Një nga detyrat kryesore në Bruksel, theksoi ai, ishte që të marrë pjesë në konferencën “Së bashku për Shqipërinë” për donacionet për rindërtimin e vendit pas tërmetit katastrofik në Durrës./Telegrafi/