Site icon Telegrafi

Spasovski: Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndërmarrë rolin e vëzhguesit në Rrjetin evropian të migracionit

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot mori pjesë me fjalim të tij në takimin onlajn të Rrjetit evropian të migracionit.

“Republika e Maqedonisë së Veriut si edhe më shumë vende evropiane janë të ekspozuara ndaj rritjes së migracionit në kuadër të procesit të globalizimit. Duke pasur parasysh rrjedhat migruese dhe ndikimin e tyre ndaj zhvillimit demografik dhe socio-ekonomik, po tentojmë në mënyrë sistemore të kyçemi në qasjen globale evropiane për ballafaqim me migracionin dhe sfidat nga migracioni. Në këtë drejtim, kam kënaqësinë në këtë moment të shpreh gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ndërmarrjen e rolit të vëzhguesit në kuadër të Rrjeti evropian të migracionit”, theksoi ministri Spasovski, gjatë së cilës rikujtoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ishte vendi i parë i goditur nga kriza e migracionit në vitin 2015.

“Prapëseprapë, edhe pse jemi shtet i vogël, me resurse dhe kapacitete të kufizuara, fuqishëm qëndruam në mbrojtjen, me sukses e menaxhuam krizën dhe me këtë kontribuuam në ruajtjen e mirëqenies jo vetëm të qytetarëve tanë, por edhe të tërë kontinentit evropian. Përpjekjet tona në atë moment, do të thoja edhe deri në ditët e sotme, janë të njohura dhe të theksuara, si nga ana e Unionit Evropian, poashtu edhe nga ana e organizatave të shumta ndërkombëtare”.

“Doemos, ne jemi të përgatitur, jemi në dispozicion të ndajmë eksperiencën tonë me Ju, me të vetmin qëllim-krijimin e politikave të suksesshme të migracionit, në nivel jo vetëm të Unionit Evropian, por edhe në nivel të tërë kontinentit evropian”, theksoi ministri Spasovski.

Ai shtoi se Republika e Maqedonisë së Veriut me përkushtim punon në përgatitjen e disa dokumenteve strategjike.

Exit mobile version