Kryeministri i Qeverisë teknike, Oliver Spasovski kërkoi shkarkimin e ministres së Punës dhe Politikës Sosciale, Rashela Mizrahi.
“Kryeministri dhe Qeveria e kanë për obligim të sigurojnë mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke marrë parasysh se ministrja Mizrahi me vetëdije dhe qëllimisht shkel Kushtetutën dhe me këtë rrezikon të ardhmen euroatlantike të vendit, kryeministri në Kuvend dorëzoi propozim për shkarkimin e ministres teknike për Punë dhe Politikë Sociale, Rashela Mizrahi”, njoftojnë nga Qeveria.
Ministrja Mizrahi ditë më herët doli në konferencë për shtyp ku shihej tabela me emrin e vjetër të shtetit dhe tha se kjo tabelë nuk është ndryshuar nga ministrja paraprake, ndërsa në pyetjen nëse do të ndryshojë tabelën me emrin e vjetër ‘Republika e Maqedonisë’ ajo u përgjigje se një gjë të tillë nuk e ka ndërmend ta bëjë dhe se është e gatshme të paguajë dënim prej 5.000 eurove.
Qëndrimi i ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Rashela Mizrahi e cila vjen nga radhët e OBRM-PDUKM-së bëri bujë në mediat greke, ndërsa ditë më herët edhe ministri i MPJ-së, Nikolla Dimitrov i bëri thirrje kryeministrit Oliver Spasovski të shkarkojë ministren teknike të MPPS-së./Telegrafi/