Telegrafi

Spasovski: Edhe mua nga BDI më telefonin për Vjosa Osmanin, por ajo patjetër duhej t’i kalonte procedurat

Ish-ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski theksoi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani patjetër duhej ti kalonte të gjitha procedurat e sigurisë në Aeroportin e Shkupit, pasi që po udhëtonte me një aeroplan komercial.

“Është fakt se ka pasur një situatë edhe më parë ku presidentja e Kosovës ka reaguar se pse është dashur të kalojë kontrollin e sigurisë. Mirëpo, në atë moment askush nuk ndërmori asnjë iniciativë përveçse të tregonte se procedurat e sigurisë duhej të kalonin dhe kjo ishte e kryer. Ajo presidente gjatë çdo udhëtimi në aeroportin e Shkup nuk u la kurrë pa kaluar procedurën e sigurisë. Dhe në atë periudhë më kanë thirrur në telefon zyrtarë të BDI-së. Ata kërkuan informacion se pse ndodhi kjo dhe unë gjithmonë i jepja informacionin ashtu siç është. Askush nuk e ka dërguar sigurimin e vet personal që të shkojnë atje dhe të nxjerrin armën për të sulmuar një polic, pa e ditur se në atë mënyrë po e rrezikojnë objektin e mbrojtjes”, thotë Spasovski.

“Unë besoj absolutisht se çdokush, edhe presidenti i çdo vendi, duhet të respektojë rregullat e shtëpisë në vendin ku hyn. Unë kam qenë ministër i Punëve të Brendshme, kam qenë kryetar i Qeverisë, asnjëherë nuk kam kaluar nëpër aeroportin e Shkupit pa më kontrolluar bagazhin apo pa kaluar nëpër skaner”, shtoi Spasovski.

Sipas tij, ky rast me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe sigurimin e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi është një incident i rëndë i sigurisë dhe të gjithë ata që duan ta vënë veten mbi Ligji dhe mbi Kushtetutën duhet të mbajnë përgjegjësi politike.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Spasovski në intervistën për televizionin Sitel, i pyetur nëse do ta përkrahë interpelancën e kryetarit të Kuvendit, është përgjigjur se do të mbështesë të gjithë mekanizmat që do të nënkuptojnë marrjen e përgjegjësisë.

Sipas tij, në aeroport mund të kishte ndodhur një incident i rëndë i armatosur mes kolegëve dhe kështu mund të rrezikohej presidentja e Kosovës.