Telegrafi

Spasovski: Besimi në policinë e shtetit u zbeh me ngjarjet e 27 prillit në Kuvend

Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoni, Oliver Spasovski në konferencën për siguri në Brdo ka thënë se qytetarët e kanë humbur besimin në policinë e shtetit. Kjo, sipas Spasovskit, i faturohet pushtetit të kaluar dhe se kjo ka ndikuar që të jetë më i rëndë kthimi i besimit në vitet e ardhshme.

Sipas Spasovskit, ngjarjet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill me rrahjen e deputetëve dhe gazetarëve kanë ndikuar që të eleminojnë edhe atë besim të vogël që e kishin qytetarët për policinë . Besimi më herët ishte zbehur për shkak të përgjimeve masive ku nga zyrat e policisë dhe Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim ishin përgjuar me mijëra qytetarë, në mesin e të cilëve kishte edhe politikanë vendor por edhe zyrtarë e diplomatë nga vendet e jashtme.

”Reformat në shërbimet e sigurisë vlerësoj se janë shumë të nevojshme për një shoqëri të shëndoshë dhe të lirë nga krimi dhe korrupsioni. Në një shoqëri prej ku qytetarët do të jenë të lirë për të vepruar dhe të lëvizur. Neve na duhen reforma për të shndërruar shoqërinë si shoqëri që ekziston në vendet e Bashkimit Evropian.” tha Spasovski.

Spasovksi tha se MPB është e gatshme të reformohet dhe për këtë kërkon ndihmën e miqve ndërkombëtarë për të mbështetur këto reforma, në mënyrë direkte dhe të shpejtë. /Telegrafi/