Telegrafi

Spanjollët të indinjuar për disa momente me mbrojtësin e majtë të tyre: Por pse Cucurella duroi fishkëllimat gjatë gjithë ndeshjes

Mbrojtësi i majtë i Spanjës, Marc Cucurella, gjatë gjithë ndeshjes ndaj Francës është ekspozuar ndaj fishkëllimave nga tribuna dhe arsyeja nuk u ka pëlqyer aspak shokëve të skuadrës.

Domethënë, tifozët gjermanë nuk e kanë harruar lojën me dorë të Cucurellas në zonën e rreptësisë gjatë çerekfinales kundër gjermanëve, kur gjyqtari anglez Anthony Taylor në mënyrë të pashpjegueshme nuk dha penallti.

Gjermanët shpresonin që në vend të spanjollëve të dilnin në fushë kundër francezëve dhe e kishin blerë biletat masivisht për ndeshjen e Mynihut dhe çdo prekje e topit e Cucurella shoqërohej me fishkëllima.

Për këtë shkak spanjollët janë revoltuar dhe pas ndeshjes kundër Francës kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre.

“Mendoj se është turp. Asnjë lojtar nuk e meriton këtë. Mendoj se të vish në stadium për të sulmuar dikë do të thotë se nuk ke respekt për dikë që po bën punën e tij”, deklaroi Daniel Vivian.

Sjelljen e tifozëve gjermanë e dënoi edhe përzgjedhësi spanjoll Luis De la Fuente, pas fitores.

Lexo po ashtu Lamine Yamal shënoi për Spanjën, por rekordi i Herlovsen qëndron i pathyeshëm

“Nuk e di arsyen e fishkëllimave kundër Cucurella, por i vetmi efekt që pati ishte motivimi. Unë jam kundër mosrespektimit dhe ata që fishkëllenin nuk përfaqësojnë shoqërinë gjermane”, deklaroi la Fuente.

Nga ana tjetër, Cucurella nuk dëshiron ta diskutojë shumë këtë temë.

“Këto janë gjëra që ndodhin, nuk mbaj përgjegjësi për asgjë. E rëndësishme është që jemi në finale dhe kaq. Nuk e di se çfarë kanë dashur, por kështu është”, deklaroi mbrojtësi i Chelseat.

Kujtojmë se Spanja mundi Francën me rezultat 2-1 dhe u kualifikua në finalen e Euro 2024, ku do të luajë kundër skuadrës më të mirë nga dueli i sonte mes Holandës dhe Anglisë. /Telegrafi/