MG ka bërë një hap të rëndësishëm për të sjellë më afër publikut në Spanjë veturën e saj elektrike shumë të mirë MG4.
Vetura kompakte elektrike më e shitur e MG tani është jashtëzakonisht e përballueshme në vend, me çmime që fillojnë nga vetëm 18,480 euro, një zbritje prej më shumë se 12 mijë euro krahasuar me çmimin e rekomanduar me pakicë, transmeton Telegrafi.
Ka stimuj qeveritarë dhe zbritje nga MG, por çmimi i këtij automjeti është më se i pranueshëm. Kështu, në Spanjë, MG arriti të barazojë çmimin e një veture kompakte elektrike me veturat përkatëse me benzinë.
Në fakt, veturat elektrike janë edhe më të lira me këtë paketë. MG4 ofron deri në 450 kilometra distancë të ciklit të kombinuar (në varësi të versionit). Shpejtësia e karikimit mund të shkojë deri në 144 kW, gjë që ju lejon të karikoni nga 10 deri në 80 për qind të kapacitetit të baterisë në vetëm 26 minuta.
Ky hatchback kompakt me 5 dyer ka 4,287 mm gjatësi, 1,836 gjerësi dhe 1,504 lartësi. Kapaciteti i bagazhit është midis 350 dhe 1,165 litra (kur ulëset e pasme janë të palosura).
Ofrohen tre versione. Bazik, MG4 Electric Standard, me një kapacitet baterie prej 51 kWh, një rreze veprimi deri në 350 kilometra në ciklin WLTP dhe një motor elektrik të montuar prapa me një fuqi 125 kW (170 kuaj-fuqi).
Versionet MG4 Electric Comfort dhe MG4 Electric Luxury kanë një bateri 64 kWh dhe një motor elektrik 150 kW (204 kuaj-fuqi). Versioni Comfort mundëson rreze deri në 450 kilometra.
Versioni më luksoz, MG4 Electric Luxury, ofron një rreze prej 435 km. /Telegrafi/