Shumë njerëz janë duke planifikuar që nesër të dalin në punë, megjithëse në Spanjë deri më tani kanë vdekur afro 17 mijë njerëz nga coronavirusi.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur janë shënuar edhe 619 vdekje të reja nga coronavirusi, që e ngritin numrin e përgjithshëm të vdekjeve në Spanjë në 16,972, transmeton Telegrafi.
Numri i të vdekurve që u raportuan sot, ishte shumë më i lartë se ai i ditës së djeshme prej 510 viktimave, që ishte më i ulëti në 19 ditët e fundit.
Afro 5,000 njerëz më shumë janë diagnostikuar me coronavirus, duke e ngritur në 166,019 numrin e përgjithshëm të tyre, derisa 62,391 janë shëruar.
Derisa numri i viktimave nuk po ndalon, qindra njerëz planifikojnë që të dalin në punë, pasi qeveria spanjolle i ka hequr ndalesat e veprimtarive që nuk janë të domosdoshme, si prodhimi në industrinë e veshjeve dhe ndërtimtari.
Të gjithë ata që nuk ndihen mirë, kanë pasur kontakte me personat e prekur me coronavirus, apo ata që kanë ndonjë sëmundje kronike, detyrohen të qëndrojnë brenda.
Derisa mbyllja e përgjithshme në Spanjë, që ndalon çdo dalje prej shtëpisë pos për nevoja shumë të rëndësishme, do të vazhdojë edhe për disa javë. /Telegrafi/