Ministria e Shëndetësisë në Spanjë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit, janë shënuar 164 vdekje, që e ngritë në 25,264 numrin e përgjithshëm të viktimave, derisa është numri më i vogël i vdekjeve ditore që nga 18 marsi.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me coronavirus është rritur në 217,466, nga 216,582 sa ishte gjatë ditës së djeshme, transmeton Telegrafi.
Për herë të parë në gjashtë javët e fundit, ka rënë edhe numri i të shtrirëve në spital, ndërsa deri më tani janë shëruar 118,902 persona.
Këto të dhëna janë bërë të ditura edhe nga kryeministri Pedro Sanchez, gjatë një bisede që ka pasur me liderët e regjioneve autonome spanjolle, lidhur me vendimet që janë marrë për lehtësimin e masave të mbylljes së përgjithshme.
Si pjesë e lehtësimeve, është lejimi i grumbullimit të dhjetë personave së bashku, gjatë kohës së lejimit të daljeve në ambiente të hapura, nga katër orë paradite dhe dy orë në mbrëmje.
Që nga dita e nesërme kur të fillojë qarkullimi i transportit publik, të gjithëve iu kërkohet që të bartin maska dhe të kenë kujdes lidhur me pastërtinë. /Telegrafi/