Site icon Telegrafi

Spanja regjistron rritje të madhe të rasteve të reja ditore me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës njoftoi se 3.715 raste të reja me coronavirusin e ri (COVID-19) janë regjistruar në vend në 24 orët e fundit, ndërsa 131 persona kanë humbur jetën brenda shtatë ditëve.

Në të dhënat e azhurnuara nga Ministria e Shëndetësisë u vërejt rritje e madhe e numrit të rasteve të reja dhe vdekjeve nga COVID-19.

Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në 370.867, transmeton Anadolu Agency.

Nga rastet e reja, rreth gjysma janë regjistruar në Madrid (1.535).

Ndërkaq, numri më i madh i 131 viktimave të shënuara gjatë shtatë ditëve të fundit është vërejtur në rajonet autonome Aragon (56) dhe Madrid (35).

Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në 28.797.

Në shtatë ditët e fundit, 1.336 nga pacientët e diagnostikuar me COVID-19 janë shtruar në spital, ndërsa aktualisht, trajtimi i 84 pacientëve vazhdon në kujdes intensiv.

Ndërkohë, një vendbanim me 4.000 banorë në rajonin autonom Castilla La Mancha është vendosur në karantinë pasi 99 persona kanë rezultuar pozitivë me virusin.

Po ashtu, pas Madridid dhe Katalonjës, edhe Galicia vendosi të kryejë teste masive PCR në zonat më të prekura.

Rritja e shpejtë e rasteve me COVID-19 ka shkaktuar debate në lidhje me vitin e ri shkollor që është planifikuar të nisë në fillim të shtatorit.

Katër sindikata të mëdha në Madrid, duke argumentuar se nuk janë marrë masa adekuate në shkolla kundër virusit, kanë vendosur që mësuesit të shkojnë në grevë në të gjitha shkollat publike dhe në të gjitha nivelet arsimore më 10 shtator.

Exit mobile version