Telegrafi

Spanja, qëndrim ‘më të butë’ në raport me Kosovën, ambasadori spanjoll në Beograd përmend hapjen e zyrës në Prishtinë

Ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina, ka përsëritur qëndrimin se vendi i tij nuk e njeh një Kosovë të pavarur.

Por çfarë bie në sy, është përmendja e hapjes së një zyre në Prishtinë.

Ai tha se sa i përket mundësisë së hapjes së një zyre në Prishtinë, duhet të kihet parasysh se shumica e anëtarëve të BE-së që nuk e njohin Kosovën janë tashmë të pranishëm në atë territor dhe se kjo nuk presupozon ndonjë ndryshim në pozicionin e tyre.

“Në çdo rast, çdo vendim i Spanjës në atë drejtim sigurisht që do të merret në bashkëpunim me partnerët tanë serbë. Dhe, e përsëris, nuk do të thotë ndonjë ndryshim në qëndrimin tonë të vendosur”, ka thënë Bartolome Molina, shkruan Kurir.rs, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë i pyetur nëse BE-ja është një ndërmjetës i fortë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, ambasadori spanjoll tha se është dhe duhet të jetë.

“Stabiliteti i Ballkanit është stabiliteti i BE-së. Brenda BE-së, përveç kësaj, ka ndjeshmëri të ndryshme, në mënyrë që ndërmjetësimi i BE-së të garantojë më shumë sesa akterët e tjerë të mundshëm – neutralitetin dhe ekuilibrin në negociata. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se Serbia është një vend kandidat dhe Kosova merr pjesë në procesin e pranimit dhe stabilizimit”, ka thënë ndër tjerash Bartolome Molina. /Telegrafi/