Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes hapëse të grupit B mes Spanjës dhe Kroacisë e cila po zhvillohet në qytetin e Berlinit.
“La Roja” po udhëheq në këtë takim me rezultat 3-0 ndaj Kroacisë e cila nuk arriti t’i bëjë ballë sulmeve të Spanjës.
Golin e epërsisë për spanjollët e shënoi Alvaro Morata i cili në minutën e 29-të u gjend në një situatë ballë për ballë me portierin Livakovic dhe nuk dështoi për të shënuar për rezultatin 1-0.
Spanja nuk u ndal më kaq dhe vetëm disa minuta më vonë arriti të shënojë edhe golin e dytë në këtë sfidë.
Këtë herë ishte radha e Fabian Ruiz i cili tre minuta më vonë, më saktësisht në minutën e 32-të bëri një gjuajtje të fortë duke e lënë pa asnjë mundësi reagimi portierin kroat për rezultatin 2-0.
Kroacia rastin më serioz në këtë pjesë të parë e pati në minutën e 34-të, kur gjuajtjen precize të Marcelo Brozovic e priti me shumë mund portieri Unai Simon.
Spanja e gjeti edhe golin e tretë në fund të pjesës së parë me anë të Dani Caravjal i cili shënoi për 3-0 në minutën e dytë të kohës shtesë pas asistimit nga Lamine Yamal./Telegrafi/