Klubi gjakovar i hendbollisteve Shqiponja përballet me spanjollet e Gran Canarias në një të tetën e finales së Challenge Cup. Ndeshja e parë duhet të luhet në Gjakovë më 9 janar, ndërsa e kthimit më 17 janar në Gran Canaria.
Por EHF-ja ka njoftuar të hënën Federatën e Hendbollit të Kosovës se klubi spanjoll nuk është në gjendje t’i dërgojë ftesë Shqiponjës që të udhëtojë për në Spanjë, shkruan sot Koha Ditore. Ftesa e klubit nikoqir zakonisht është kusht për t’u pajisur me viza të një vendi. Pa ftesën e Gran Canarias ka pak gjasa që KHF Shqiponja të pajiset më viza për hyrje në Spanjë, shkruan kohaditore.
Në fakt Spanja nuk njeh Kosovën dhe rrjedhimisht as pasaportat e Kosovës. Por janë regjistruar disa raste kur kosovarët janë futur në Spanjë edhe me pasaporta të Kosovës.
Në mungesë të ftesës së spanjollëve, Federata Evropiane e Hendbollit të hënën i ka dërguar FHK-së një letër konfirmuese me të cilën menjëherë është aplikuar për viza në Ambasadën e Spanjës në Shkup. Por nuk është e sigurt që letra konfirmuese e EHF-së, që konfirmon se Shqiponja duhet të luajë në Spanjë, do të jetë e mjaftueshme për t’u lëshuar vizat për hendbollistet dhe drejtuesit e Shqiponjës.
Më herët klubi spanjoll Gran Canaria i ka premtuar Shqiponjës se do t’ia dërgojë ftesën. Më pas e ka njoftuar EHF-në se nuk mund ta dërgojë ftesën për klubin kosovar