Site icon Telegrafi

Spanja në alarm, regjistron dyfishim të rasteve ditore me COVID-19

Përderisa Spanja regjistroi rritje të numrit të rasteve me coronavirusin e ri (COVID-19) për të dytën ditë me radhë, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) tha që ekonomia e Spanjës është më e ndjeshme në botë ndaj ndikimeve negative të një vale të dytë e pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Spanjës, në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 167 raste me COVID-19, ndërsa një ditë më parë u regjistruan vetëm 84 raste. Kjo ndodh pasi të dielën u regjistrua numri më i ulët prej 48 rasteve.

Megjithatë, numri i të diagnostifikuarve mbetet shumë i ulët në krahasim me kulmin prej 10 mijë të infektuarve në ditë në fund të marsit.

Deri më tani, gjithsej 242,280 njerëz janë konfirmuar se janë infektuar me virusin në Spanjë. Prej tyre, sipas të dhënave zyrtare, 27.136 njerëz kanë vdekur.

Përkundër vdekjeve dhe kostos së lartë të sistemit shëndetësor, parashikimet e reja ekonomike të publikuara nga OECD i japin Spanjës edhe më shumë arsye për t’u shqetësuar për një valë të dytë të mundshme.

OECD sugjeron që Spanja do të ishte ekonomia më e prekur në botë nëse do të ndodhte një valë e dytë e coronavirusit. Gjithashtu vlerësohet se PBB-ja e vendit do të binte për 14,4 për qind.

Sipas raportit, rënia e kërkesës së brendshme për shkak të humbjes së vendeve të punës dhe aktivitetit të paralizuar do të ishte një shtytës kryesor i rënies historike. Raporti parashikon gjithashtu se humbjet nga turizmit këtë vit do të peshojnë rëndë mbi ekonominë e vendit.

Parashikimet aktuale nga Banka e Spanjës sugjerojnë që PBB-ja e vendit këtë vit do të bjerë me të paktën 9 për qind.

Përderisa përhapja e coronavirusit tani duket se është nën kontroll në Spanjë, sapo vendi të hapë kufijtë e saj për udhëtime ndërkombëtare më 1 korrik, parandalimi i pandemisë mund të bëhet më i ndërlikuar.

Në nivel global, virusi po përhapet më shpejt tani se më parë gjatë pranverës. Të dielën u konfirmuan mbi 136 mijë raste me COVID-19, numri më i lartë ditor që nga fillimi i pandemisë.

Ndërkohë, qeveria e Spanjës ka miratuar një ligj për periudhën pas heqjes së bllokimit.

Për të ndihmuar në parandalimin e valës së dytë, maskat, masat higjienike dhe distanca fizike do të mbeten të detyrueshme derisa të zbulohet një trajtim efektiv apo vaksinë për COVID-19.

Exit mobile version