Site icon Telegrafi

Spanja mund t’i amnistojë separatistët katalonas

Kryeministri në largim i Spanjës, Pedro Sanchez ka folur rreth negociatave për formimin e qeverisë së re dhe në veçanti kushtit të vendosur nga katalanasit, që ka të bëjë me amnistinë e të gjithë atyre që morën pjesë në organizimin e referendumit për pavarësinë e Katalonisë.

Gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granada, kreu i qeverisë spanjolle konfirmoi se ka bisedime për amnistinë e zyrtarëve katalonas.

“Ne jemi duke negociuar me grupe të ndryshme politike. Kur qeveria spanjolle miratoi faljet, unë isha i bindur se stabiliteti do të kontribuonte në normalizimin e politikës në Kataloni. Sot jam i sigurt se ishte një vendim i mirë. Pra, ne jemi duke negociuar dhe kur të kemi një qëndrim konkret për këtë çështje, do të dihet edhe qëndrimi i Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës në pushtet”, tha Sanchez.

Carles Puigdemont

Çështja e amnistisë u bë problemi kryesor politik pasi u bë e ditur se votat e partisë katalanase Junts të udhëhequr nga Carles Puigdemont, një nga liderët e lëvizjes katalonase për pavarësi, do të jenë vendimtar për formimin e qeverisë së re të Spanjës, raporton euractiv.

Nga ana tjetër, opozita konservatore, Partia Popullore (PP) i kërkoi kryetares së parlamentit spanjoll, Francine Armengol, të caktojë një datë në të cilën do të diskutohet për formimin e qeverisë.

Lexo po ashtu Referendum për pavarësi, njëri nga kushtet e katalunasve për ta votuar qeverinë e re spanjolle

“I kërkojmë presidentit të reagojë dhe të përcaktojë datën e mbajtjes së takimeve për formimin e qeverisë”, thanë ata.

Javën e kaluar, Parlamenti spanjoll votoi dy herë për formimin e një qeverie të udhëhequr nga Partia Popullore, por aleanca e krahut të djathtë nuk arriti të fitonte mbështetjen e mjaftueshme për të nisur procesin e formimit të qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version