Site icon Telegrafi

Spanja mbyll hapësirën e saj ajrore për shkak të mbetjeve të raketës kineze – jashtë kontrollit – që po binin në tokë

Spanja ka mbyllur për pak kohë pjesë të hapësirës së saj ajrore për shkak të rreziqeve të paraqitura nga një raketë kineze që rihynte në atmosferën e Tokës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aeroportet e Barcelonës dhe Ibizas ishin ndër ato të prekura nga një vendim i tillë të premten, i cili zgjati rreth 40 minuta.

Vendimi erdhi pasi Kina dërgoi raketën e saj të fuqishme Long March 5B për të ofruar modulin përfundimtar të stacionit të saj hapësinor Tiangong.

Dhe një mbetje e raketës tani supozohet se po bën një rihyrje të pakontrolluar ndonëse pjesa më e madhe e mbetjes pritej të digjej gjatë zbritjes së saj.

Por ka disa shqetësime se disa prej mbetjeve – të përshkruara si një nga objektet më të mëdha që rihyjnë në atmosferë vitet e fundit nga Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian – mund të mbijetojnë.

Ndryshe, në maj të vitit 2020, disa prona në Bregun e Fildishtë u dëmtuan kur mbeturinat nga lëshimi i parë i raketës u kthyen në Tokë.

Hapësira ajrore spanjolle në orën 9 të mëngjesit të sotëm

Shërbimi i Mbikëqyrjes dhe Gjurmimit të Hapësirës i Bashkimit Evropian ka thënë në faqen e tij të internetit se “probabiliteti statistikor i një ndikimi në tokë në zonat e populluara është i ulët”, me mbetjen që pritet të zbarkojë diku në Oqeanin Atlantik.

Megjithatë, ai paralajmëroi se Italia jugore, si dhe Spanja veriore dhe Portugalia ishin gjithashtu në trajektoren e mbeturinave.

Mbetjet e një rakete tjetër kineze u kapën në gusht teksa shpërbëhej mbi Malajzi, përpara se të binin në Oqeanin Indian.

Si masë paraprake, agjencia kombëtare e hapësirës ajrore të Spanjës krijoi një zonë përjashtimi 100 km (62 milje) në të dyja anët e orbitës së raketës që binte.

Ndikimi në fluturime pritet të vazhdojë gjatë gjithë ditës.

Në të kaluarën, agjencia hapësinore e Amerikës, NASA i ka bërë thirrje Kinës që të projektojë raketa që të shpërbëhen në copa më të vogla pas rihyrjes, siç është me norma ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version