Telegrafi

Spanja ka nevojë për reforma ekonomike

Problemet e ekonomisë spanjolle shkaktuan një inflacion të euros gjatë javës së shkuar, ndërsa transaksionet me monedhën e përbashkët u ulën ndjeshëm, për shkak të frikës së kolapsit të një vendi të ri brenda Bashkimit Europian.

Greqia dhe Irlanda kërkuan gjatë 2010-s rreth 185 miliardë euro prej Bankës Qendrore europiane, për të shpëtuar ekonomitë e tyre, ndërsa Portugalia raportohet gjithashtu në krizë.

Pas tre vitesh rënie ekonomike, Spanja duhet të rikthehet tek një rritje e lehtë prej 0,9% vitin e ardhshëm, por qeveria duhet të ndërhyjë për ta bërë rritjen të vazhdueshme ndër vite, sugjeroi OECD.

Me 20 %, vendi iberik ka papunësinë më të lartë brenda eurozonës dhe një rritje e lehtë nuk do të ndihmojë për të përmirësuar situatën e rënduar vitin e ardhshëm.

“Me përmirësimin e kushteve të jetesës dhe jetëgjatësisë, qeveria spanjolle duhet të marrë në konsideratë mundësinë e rritjes së moshës së pensioneve në 67 vjeç”, deklaroi OECD.

Megjithatë, për qeverinë e Madridit mund të rezultojë e vështirë që të ndërmarrë veprime të tilla, pasi sindikatat në vend kanë paralajmëruar protesta nëse mosha e pensionit apo pagat do të preken. /Telegrafi/