Senati i Spanjës sot në seancë plenare e ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Votimi u bë përmes videove, për shkak të situatës me coronavirusin.
“Senati spanjoll sapo ratifikoi protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, me 0 vota kundër. Falënderoj Senatin spanjoll dhe ministrinë e Punëve të Jashtme që edhe përkundër gjendjes aktuale, ka vendosur në rend të ditës Protokollin. Spanja tani do të deponon në Departamentin e Shtetit në Washington instrumentin e ratifikimit prej ku do të informohet NATO, ndërsa ne presim të informohemi dhe do të duhet edhe të dërgojmë instrumentin tonë të ratifikimit të Protokollit”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
Ai kujtoi se Spanja është vendi i fundit, që e ka ratifikuar protokollin, ndërsa ai tani do të dërgohet në Washington.
Ambasadori spanjoll në vendin tonë Lorenzo Soreka, kërkoi falje për vonesën e miratimit duke i potencuar arsyen kryesore të shtyrjes, gjegjësisht zgjedhjet dhe formimin e Qeverisë spanjolle .
“Siç tha ministri, Spanja po kalon në kohë të vështirë, Senati ka bërë diçka që është e re, votim nga distanca, respektivisht me video. Ratifikimi i vonuar i Spanjës është si pasojë e rrethanave që u krijuan pasi vendi jonë zgjedhjet e prillit i përsëriti në nëntor dhe kjo paraqiti problem”-tha mes tjerash ambasadori Soreka.
Theksojmë që Maqedonia e Veriut e miratoi parakohe protokollin për anëtarësim në NATO, për shkak të shpërndarjes së Kuvendit.
Tani pritet që në Washington vetëm të zyrtarizohet anëtarësimi si shteti i 30-të në NATO, me të drejta të plota dhe barabarta me anëtaret tjera./Telegrafi/