Telegrafi

SPAK, Antimafia italiane godasin grupin kriminal, zbulohet blerja e 31 restoranteve, dy hoteleve dhe një klubi futbolli në Itali

Prokuroria e Posaçme (SPAK) në bashkëpunim me autoritetet partnere si Antimafia italiane, kanë goditur një grup kriminal me aktivitet në fushën e mashtrimit me tatim taksat.

Sipas një komunikate të shkurtër nga SPAK, bëhet fjalë për shuma prej 1.1 milionë euro në vit ose një total prej 13.5 milionë euro në 12 vite përmes mashtrimit me tatim taksat, pastrimin e parave dhe faturat fiktive, hetuar nga Antimafia e Firences.

SPAK dhe Antimafia kanë regjistruar procedim penal dhe po kryhen verifikime në ngarkim të shtetasve Gazment Koçiu, Redon Marku, Samir Houjeiri, Eros Gjona, Orkes Kamami, Eulent Kamami, dhe Albiona Ziaj.

Eulent Kamami qëndronte në krye të grupit, ndërsa Albiona Ziaj mblidhte paratë që vinin nga aktiviteti tregtar duke mos lëshuar fatura fiskale.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Firences, koordinuar nga Eurojust, janë kryer kontrolle në 4 qytete të Shqipërisë dhe 23 kontrolle në disa qytete të Italisë. Është zbuluar një investim prej 13.5 milionë eurosh në 31 restorante, 2 hotele dhe biznese të tjera të ndryshme. Hetimi po vijon në mbledhjen e provave dhe përgjegjësinë penale të subjekteve nën hetim”, tha SPAK në platformën “X”.

Pjesë e aktiviteteve të këtij grupi janë krime përmes blerjeve ose dhënia me qira e 31 bizneseve, restoranteve në qendër të Firences, dy hoteleve, bizneseve të makinave me qira, një kompanie prodhimi birre. Aksionet e një klubi futbolli amator në Ischia u blenë gjithashtu me të ardhura të paligjshme. Kontrollet në Shqipëri janë kryer në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Elbasan.